Home / Story / Kritikë letrare nga Vilma Muça: VEPRA “KAM NJË MIK TË AFTË NDRYSHE”, E AUTORIT BEHAUDDIN E. GASHI

Kritikë letrare nga Vilma Muça: VEPRA “KAM NJË MIK TË AFTË NDRYSHE”, E AUTORIT BEHAUDDIN E. GASHI

Nga Vilma MUÇA

VEPRA “KAM NJË MIK TË AFTË NDRYSHE”, E AUTORIT BEHAUDDIN E. GASHI

Ndërsa ndjek me endje rreshtat e poezive të cilat përherë e më tepër zgjasin duart për të më pasur aty, mendja bën reflektimet e saj lozonjare. E si të mos jenë lodronjëse, kur bëhet fjalë për fëmijë, për “miqtë e vegjël” të gjithsecilit prej nesh?! Duke ju shuar kureshtjen e ngjallur tashmë, bëhet fjalë për veprën e 11-të të autorit të mirënjohur mysliman Behauddin E. GASHI, e cila titullohet “Kam një mik të aftë ndryshe”. Me recensues shkrimtarin dhe studiuesin, Prof. as. dr. Astrit BISHQEMI si dhe redaktuar dhe korrektuar nga Prof. dr. Abdulla R. BALLHYSA, kjo vepër sjell risi në letrat shqipe të letërsisë për fëmijë.
Koncepti i dhembshurisë së pafundme dhe shoqërisë pa anshmëri duket qartë i shkrirë që në kopertinën e mirëmenduar. Përmes një ecjeje në ikje e dy miqve të vegjël, e ndihmuar mjeshtërisht me ngjyrat e thella të tokës, kjo vepër bëhet tepër atraktive pa e shfletuar ende ashtu siç i ka hije. Sa më shpesh e gjatë ta shohësh këtë kopertinë, për më tepër se çudi…, kupton se përbrenda të vlon e njëjta ndjesi: një shkëputje e paqshme dhe e përkohëshme prej realitetit, së cilës të duhet t’i rikthehesh përsëri…
Ndiej që kam mërzi. Si nuk mundemi dot që të jemi përherë kështu si në këtë kopertinë, krahë mbi krahë e qafë më qafë, duke i pëshpëritur në vesh njëri-tjetrit për premtime?!
Dashuria e skajshme, urrejtja për ata të cilët përbuzin, dhembja që ndihet deri në palcë, zemërimi i cili shkon deri në reagim publik, shpresa për të ardhmen, gëzimi e lumturia do të jenë bashkëshoqërueset tona përgjatë të gjithë rrugëtimit nëpër udhët e kësaj vepre.
Fill pas të bukurës kopertinë, me një finesë ekzemplare në perceptim, vjen e pozicionohet poezia simotër e veprës, e cila si një arkitra ndërtues mban mbi supe peshën e të krijuarit poetiko-fetaro-artistik. Vargjet e ëmbla shkojnë e vijnë e ashtu nxitimthi duke u rimuar puthitshëm formohen katrenat e gdhenduara me nota mirësie të pashembullt…

… Kam një mik pak të çuditshëm,
herë i errët, herë i ndritshëm.
Këtu flet shumë, atje hiç fare,
më ndjek pas porsi manare.

Si ai ka pak në botë,
se çfarë ka po jua them sot.
Është më tepër se i veçantë,
i pafjalë, interesant!

Kjo nuk është problem për mua,
s’më pengon aspak ta dua.
Askënd s’lë ta tallë atë,
emrin tim përbri i vë.

Kam një mik, një mik të mirë,
me të luaj plot dëshirë.
Sa është ndryshe, aq më ngjan,
dashurinë në zemër mban.

Përmes një poezie të prekshme e të qartë, poeti ynë i nderuar është orvatur të sjellë një krijim të drejtëpërdrejtë, i cili rrëshqet larmishëm e thjeshtësisht mes një semiotike të nënkuptuar, duke na gjeneruar vrullshëm motorët e imagjinatës sonë si lexues e gjithashtu të kthimit pas në kohën e fëmijërisë nostalgjike. Nëpër vargje shkrepëtin dashuria për nënën e babanë e diku tjetër nëpër poezi ndihet aroma e jetës së një fëmije plot dëshira…

… Mami im është shumë e bukur,
lozonjare, porsi flutur.
Flet e qesh plot ëmbëlsi,
më dhuron veç dashuri!

Babin e kam shumë të mirë,
më ndihmon me plot dëshirë.
Ai punon e lodhet shumë,
të jetoj i lumtur unë!

Mamin, babin, shumë i dua,
i flladis porsi një krua.
S’i ndaj kurrë, përqafoj tok,
plot me ledha, si një zog.

I kam si këta dy sy,
më të shtrenjtët njerëz në botë.
Të përgjërohem vetëm Ty,
të m’i ruash, i Madhi Zot!

Dhe tjetra:

… I dua lulet, se janë të dlira,
i dua lulet, se janë të mira.
I dua lulet, se kanë aromë,
aromë të këndshme, oh ç’aromë!

I dua zogjtë, se cicërojnë,
i dua zogjtë, se mëshirojnë.
I dua zogjtë, se kanë dëshirë,
të fluturojnë, oh ç’dëshirë!

I dua njerëzit, se zgjojnë mendim,
i dua njerëzit, se falin gëzim.
I dua njerëzit, se bëjnë llogari,
t’ardhmen e tyre, oh ç’llogari!

Një teknikë poetike tejet unike në këtë libër për fëmijë është përfshirja e gërmave të alfabetit, si një formë e të mësuarit të gjuhës si edhe të theksimit të përqëndrimit të vëmendjes përgjatë të lexuarit, sepse nëpër çdo varg të këtyre poezive ka fjalë me gërmën respektive. Pra përpos kënaqësisë, shprehimësisë që fëmijët përftojnë, poeti luan me logjikën e tyre duke ia forcuar e përndritur për shumë e më shumë të tjera më pas…

… Ia nis gjeli të këndojë,
kur zë dita të agojë.

I hap sytë i lumturuar,
natë e gjatë fluturuar…

Falënderoj unë Zotin tim,
që më zgjoi gjithë gëzim.

Jam i gjallë e jam në jetë,
jam në botë të vërtetë!

Për të vazhduar:

… Germa “Gj” më ndjek nga mbrapa,
me të loz hapa-dollapa.

Germën “Gj” unë shumë e dua
dhe ajo më do shumë mua.

Gjaku vlon nëpër damarë,
po mbaroj klasën e parë.

Lënda jetësore e krijimit, prodhimit dhe lëvrimit të poetikës së autorit Gashi është ajo teologjike e mbështetur me ajete kur’anore, hadidhe e përvojë të saktë njerëzore. Ndërthurja letrare me atë fetare strukturohet në vargje të cilat i qasen mendjes fëminore si indiciet e para të besimit islam, si mënyra më e frytshme e afrimit të tyre me All-llahun e Madhërishëm.

… Për çdo ditë e për çdo natë,
shtrojmë vepra gjerë e gjatë.
Dikush ndrit mes mirësisë,
dikush nxin prej poshtërsisë.
Veç një gjë të mos harrojmë:
shpejt te Zoti do të shkojmë!

Nëse duam lumturinë,
falje të plotë, mëshirim,
le të falim dashurinë,
në çdo fjalë, çdo adhurim!
Namazi, shprehja më e lartë,
e nënshtrimit karshi Zotit.
Namazi, ndjenja më e zjarrtë,
që ndriçon shpirtin e robit!

Përmes një ligjërimi poetik të rrjedhshëm e të zhdërvjellët, kjo vepër gëzon tiparet më të lakmuara të autenticitetit. Duke pasur nota saktësie, vërtetësie e sigurie që nuk ngjall kurrfarë dyshimi e, ç’është më e rëndësishmja duke ruajtur me fanatizëm origjinalitetin e stilit, këto vargje lartësohen krenare e plot hijeshi.
Me forcën e të përcjellurit shumëçka, nënkuptimi semiotiko-poetik përplotësohet fuqishëm prej domethënies së mesazhit poetik, i cili ashtu si ujëvara që rrjedh bukur e furishëm prej lartësisë, ashtu dhe ai di të magjepsë me tejdukshmërinë e ekzistencës së tij.
Thuajse në të gjithë kolanën shkrimore të autorit Behauddin E. Gashi, përpos çdo arritjeje tjetër në fushë të letrave e krijimtarisë artistike, harmonishëm përballen këshillat me gjërat që i zhbëjnë këto të fundit. Të këshilluarit përmes formës më elitare të vargëzimit, pa hezitim do të mund të konsiderohet si kontributi më fisnik e si mirësia më e madhe që i bëhet shoqërisë.

Mos më godit, jo,
kot mos më qorto.
Mos më laj në gjak,
të dy kemi hak!

Përse jeton vallë,
a nuk je i gjallë?!
Pse m’i verbon sytë,
a nuk ke virtyt?!

Mos dhuno njeri,
jo dhunë, zemërzi!
Dhuna sjell veç dhunë,
kam shpirt edhe unë!

Ndiej egërsi,
vrasje, mizori.
Nuk shoh mëshirim,
veç skamje, mashtrim!

Grua qofsh a burrë,
dhuna s’fiton kurrë.
Fiton dashuria,
paqja, urtësia!

Kjo klithmë fëmije e cila rri e fshehur turpshëm pas vargjeve të kësaj poezie të mrekullueshme, të drithëron shpirt e zemër. E fill pasi e dëgjon, pëson një tronditje e cila të sjell në vete…
E përse u dashka të vijmë në vete?!
Po, po, duhet ta bëjmë e jo vetëm kaq, por të hapim sytë e të shohim se si po përlyhen rrugët e trotuaret, qytetet, bregdetet e gjithçka me gjakun e shenjtë të fëmijëve, për më keq, shpeshherë po prej fëmijëve!…
Nga ky shpirt poetik del një aromë e rrallë, gati-gati e harruar midis nesh, një aromë që i mungon kaq shumë një pjese relativisht të madhe të shoqërisë shqiptare. Autori ynë i dashur grish për zgjim, dhuron syvigjëlencën dhe kujdesin e pakrahasueshëm për edukimin e fëmijëve, edukim që duhet të fillojë që në embrion, edukim që do të jetë përherë i paplotë nëse s’do të ketë si bazë të gjithçkaje besimin në Zot…
Ai thekson se vetëm prej prindërve të përkushtuar e besimtarë të devotshëm, prej prindërve jo të dhunshëm e ekstremistë, të cilët jetën e mbajnë gjallë me frymën e ndritshme të besimit islam, do të vijnë breza që nuk do të “derdhin gjakun lumë”, por do ta ruajnë e mbrojnë jetën e njeriut si njërën nga tri shenjtëritë (jeta, pasuria dhe nderi), si margaritari para së cilit çdo gjëje tjetër i humb vlera.
Vetë shkrimi i këtij vëllimi me poezi, ky akt krijimi i pa ardhur derimë tani në letrat shqipe për fëmijë, sjell pa dyshim risinë më të madhe shkrimore në këtë fushë, duke u bërë shtëpia më e këndshme, e pëlqyer dhe e dëshiruar prej fëmijëve…

… E dua B-në,
të bardhë si zambaku.
E dua B-në,
të kuqe flakë, si gjaku!

E dua B-në,
le të themi: “Bismil-lah!”
E dua B-në,
mbi gjithçka të dua Ty, All-llah!

E teksa vargjet marrin statusin e shtëpisë, poezia në fund përcjell statusin e “Provës së jetës”…

… Kam një kovë, kam një lopatë,
punoj ditë e punoj natë.
Tek e mbush lopatën djathtas,
buzëqeshet kova majtas.

Nuk them kurrë: “Punë e vogël”,
qoftë e vogël sa një gogël.
E hedh frik në kovën time,
dhe flladitem ndër gëzime.

… I hap sytë dhe i bëj katër,
s’jam aktor në një teatër.
Jam në jetë e jam në provë,
se çfarë do të mbledh në kovë!

Autori përmes kësaj krijimtarie. me një ndjeshmëri të lartë emocionale e rikthen veten në fëmijërinë e largët, ku herë si lojë, herë si përjetim e herë si mundësi, na rikthen për ta jetuar edhe njëherë…
Vepra “Kam një mik të aftë ndryshe” karakterizohet si nga një gjuhë e përpunuar ëmbël për fëmijë, ashtu edhe nga një pluralizëm i theksuar stilistikor. Prania e një morie figurash letrare, siç mund të përmendim metaforën, epitetin, krahasimin, simbolin e bën “rrëfimin poetik” të ndërtuar mbi bazën e një gjuhe të përzgjedhur në sajë të kategorisë së cilës i përkon. Poezia nga vetë natyra e saj lë shumë për të menduar me syrin e kritikës, por kjo poezi është fenomenale në këtë aspekt!…
Dhe a e dini pse?!
Tejet e thjeshtë pasi unë t’jua them:

Është unike në llojin e saj, duke përfaqësuar denjësisht profilin të cilin poeti islam Behauddin E. GASHI e ka krejt të natyrshëm dhe që rreket aq suksesshëm ta sjellë te ne, për të na mallëngjyer e çuar atje ku secili dëshiron aq shumë të shkojë…

Check Also

Nga Behauddin GASHI/NËN FLLADIN E KURBAN BAJRAMIT

Edhe pse jemi akoma në mesin e stinës së verës, u bë dita e dytë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *