Home / News / Nga Behauddin GASHI/NËN FLLADIN E KURBAN BAJRAMIT

Nga Behauddin GASHI/NËN FLLADIN E KURBAN BAJRAMIT

Edhe pse jemi akoma në mesin e stinës së verës, u bë dita e dytë që moti po shpreh një çiltërsi dimri të tipit ku reshjet e shiut, furtuna dhe përmbytjet janë shprehjet apo argumentet më të gjalla kur njerëzimi kupton dobësinë dhe pafuqinë e tij si dhe që është aq i nevojshëm për besimin në Zot…

Nëse deri para dy ditësh në rrugë dukeshin fare pak njerëz si shkak i të nxehtit jonormal për stinën e verës në trojet tona, sot ndodhi po e njëjta gjë, por tanimë si shkak i motit të “egërsuar”.

Ndërkohë, gati çdo besimtar dhe besimtare myslimane, pavarësisht gjendjes a situatës ku u ndodh, tanimë, në këtë mbrëmje të 19-të korrikut 2021, është ulur në sofrën e këndshme dhe të bukur të iftarit. Pas një dite agjërimi më se të veçantë, e pikërisht ditës së Arafatit, të nëntës ditë të muajit Dhul-Hixhxhe 1442, me zemër që i dridhet, shpirt që fluturon hapësirave qiellore dhe sy që loton, gjithsecili shpreson që t’i jetë afruar akoma më shumë të Gjithëmëshirshmit All-llah; shpreson që të ketë fituar Mëshirën dhe Faljen e Madhërisë së Tij, shpreson që kjo festë e Kurban Bajramit që po troket aq ëmbël në dyert e të gjithëve të çelë siparin e një jete që do të stiset sipas lutjeve më të mira që ka bërë, apo që qenia ia ka dëshiruar, por s’ka mundur apo ditur që t’i bëjë…

T’i bindesh e t’ia zbatosh urdhrat All-llahut të Madhëruar, Krijuesit tonë të dashur, është një krenari e jashtëzakonshme, Dhe këtë më së miri e kupton vetëm ai që noton hapësirave të pamata të devotshmërisë. Historia e përmasave përtej epike, e pashoqe në historinë e njerëzimit, e cila, siç edhe do të kuptohet në vijim, mbetet treguesja e shembullit më të shkëlqyer të besimit dhe të nënshtrimit absolut të krijesës ndaj Krijuesit, është pikërisht ajo që i jep tërë botës islame krenarinë më të rrallë…

All-llahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij, Kur’anin madhështor:

99. “Ai tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë”.

100. “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve”!

101. Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!

102. Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti”? I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë All-llahu, unë do të jem i durueshëm”!

103. Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.

104. Ne e thirrëm: “O Ibrahim,

105. ti e përmbushe ëndrrën”. Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!

106. Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!

107. Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh,

108. dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm.

109. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin”!

110. Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët.

111. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.

112. Ne i dhamë atij lajmin e mirë të (lindjes së) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.

113. Dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe”.

Kur’an: Surja Es-Saffat (Të radhiturit), ajetet 99-113

Siç kuptohet nga ajetet e mësipërme, All-llahu i Madhëruar na tregon për mikun e tij, Ibrahimin (Paqja qoftë mbi të!), i cili, kur largohet prej popullit të tij idhujtar dhe vjen në tokën e Shenjtë, e lut All-llahun xh.sh. që t’i dhurojë një fëmijë. E All-llahu i Lartësuar e përgëzoi atë me një djalë të mirë, të urtë e të sjellshëm, me Ismailin (Paqja qoftë mbi të!). Për fëmijën që do të lindte, All-llahu xh.sh. e përgëzon Ibrahimin me tri myzhde: do të jetë djalë, do të arrijë moshën për të qenë i vetëdijshëm në sjellje dhe do të jetë i dëgjueshëm.

Atëherë, le të kridhemi pak në historinë e largët, në historinë e kurbanit, në historinë e papërsëritshme ne gjirin e njerëzimit, kur…

Thuhet se lbrahimi (Paqja qoftë mbi të!), bëri kurban 1000 dele, 300 lopë dhe 100 deve. U çuditën të gjitha krijesat: njerëzit, engjëjt dhe xhindët. Por lbrahimi (Paqja qoftë mbi të!), tha:

“Sikur të më jepte All-llahu një djalë, unë edhe atë do ta flijoja për Hir të Tij”!

Kaloi një kohë dhe Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) e harroi premtimin që bëri…

Fjala e All-llahut të Madhëruar: “Dhe kur ai (Ismaili) arriti që së bashku me të (Ibrahimin) të angazhohet në punë…”, d.m.th. kur filloi t’i bashkohet në punë babait të vet, t’i vijë në ndihmë, të angazhohet për interesat e të atit dhe të tijat personale dhe thuhet në një transmetim se në atë kohë ka qenë në moshën 13-vjeçare, Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) pa një ëndërr në të cilën iu tha:

“O Ibrahim, ku e ke premtimin”?

Atëherë Ibrahimi ra në mëdyshje, s’po dinte ç’të bënte. Pyeste veten se kjo ëndërr ishte nga Zoti, apo nga shejtani?…

Ra nata e dytë dhe përsëri iu shfaq në ëndërr po e njëjta gjë. Të nesërmen, kur u gdhi, ai u bind plotësisht se kjo ëndërr ishte nga Zoti xh.sh., prandaj edhe kjo ditë u quajt “Dita e Arefesë” – “Dita e Kuptimit”, ndërsa vendi u quajt “Arafat”.

Natën e tretë pa po të njëjtën ëndërr, urdhrin për ta bërë kurban djalin e tij, por tani sikur po e flijonte atë në Emër dhe për Hir të All-llahut, Zotit të botëve, Zotit të gjithësisë.

Për këtë shkak, kjo ditë u quajt “Dita e Kurbanit”. Në një hadith nga djali i Abbasit r.a., transmetohet se Profeti Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), ka thënë:

“Ëndrra e profetëve është shpallje”.

Transmeton Buhariu

Kjo ishte një sprovë e qartë e All-llahut të Madhëruar ndaj mikut të Tij, Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!), që ai të flijonte djalin e tij të vetëm, djalin e tij të dashur, Ismailin, i cili i lindi atij në një moshë të thyer. Për më tepër, kur iu desh të duronte përgojime e shpifje nga më të paskrupulltat e të pështirat, mbasi ai zbatoi urdhrin e Krijuesit Fuqiplotë që të vendoste birin e vetëm fare foshnjë dhe gruan e tij në një vend ku mbretëronte varfëria, në një luginë në të cilën mungonte zëri i egër dhe zëri i butë, zëri i urryer dhe zëri i dashur, aty ku mungonte njeriu, bima dhe kafsha. Por ai e zbatoi pa një, pa dy urdhrin e All-llahut xh.sh. duke i lënë ata atje në mirëbesim dhe mbështetje absolute te Krijuesi i Lartë, i Cili u dha atyre rrugëdalje e i furnizoi prej nga nuk e mendonin. E pas të gjithë kësaj, kur All-llahu xh.sh. e urdhëroi përsëri, por tashmë për flijimin e të birit, gjë e cila e dallon Ibrahimin në bindjen dhe misionin ndaj Zotit të Madhëruar, ai iu përgjigj Atij pa më të voglën mëdyshje, pa më të voglin hezitim, duke ia respektuar urdhrin dhe duke insistuar me këmbëngulje në respektin ndaj Krijuesit Fuqiplotë.

Kështu lbrahimi (Paqja qoftë mbi të!) i foli të birit me fjalë të ngrohta, në mënyrën më të mirë dhe më të lehtë për t’u kuptuar, me qëllim që gjithçka të rridhte natyrshëm, qetë dhe pa më të voglin detyrim:

“O biri im, unë kam parë në ëndërr se duhet të të bëj kurban, çfarë mendon ti”?

Atëherë Ismaili (Paqja qoftë mbi të!), djalë i dëgjueshëm dhe i respektueshëm ndaj të atit, i mbështetur plotësisht tek All-llahu xh.sh., iu përgjigj:

“… O babai im, punoje (zbatoje) atë që urdhërohesh e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve”!

Ky është kulmi i përgjigjes së saktë, i respektimit të prindit dhe i nënshtrimit ndaj Zotit të gjithësisë. Ismaili i kërkoi të atit që t’ia lidhte duart dhe fytyrën t’ia kthente nga toka, me qëllim që të mos e shikonte në momentin e prerjes, sepse mund t’i dobësohej zemra nga dhimbja dhe dashuria e kështu ta linte aktin e therjes përgjysmë. Gjithashtu, ai iu lut të atit që t’i ruante rrobat të mos i përlyheshin me gjak, sepse më vonë, kur t’i shikonte ato, mund të ligështohej; ta mprehte thikën mirë, sepse, me të vërtetë, vdekja e tillë është e vështirë dhe ai duhej të mbaronte punë sa më shpejt; t’ia çonte këmishën nënës si kujtim; t’i bënte asaj selam prej tij e të duronte, sepse vullneti i Zotit xh.sh. është mbi gjithçka; të mos i lejonte fëmijët e tjerë t’i afroheshin, sepse, kur t’i shikonte ata, asaj do t’i kujtohej i biri dhe do të mërzitej; po ashtu, ai vetë, kur të shikonte djem që i ngjanin atij, të mos ngulmonte në të shikuar, por t’i largonte sytë prej tyre, sepse do të mallëngjehej…

Nga Fjala e All-llahut xh.sh., kur thotë:

“E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe (Ibrahimi e) përmbysi atë në fytyrë”, kuptojmë se Ibrahimi dhe Ismaili u dorëzuan, d.m.th. të dy iu nënshtruan urdhrit të All-llahut xh.sh. dhe e zbatuan atë me vendosmëri. Ndërsa kuptimi më i detajuar i shprehjes “e përmbysi atë në fytyrë”, është që e përmbysi (e ktheu, e shtriu) atë me fytyrë nga toka.

Siç u pa më lart, thuhet se ka dashur ta presë nga pozicioni i sipërtreguar, në mënyrë që të mos e shikonte në çastin e flijimit. Kjo është thënia e Ibn Abbasit, Muxhahidit, Seaid ibn Xhubejrit, Katades dhe Dahakut. Ndërsa, sipas transmetimit të Es-Sedijjit dhe të tjerëve, thuhet se, përkundrazi, e shtriu atë ashtu siç shtrihen kurbanët dhe njëra anë e ballit të Ismailit ka qenë e ngjitur me tokën. Dhe “u dorëzuan”, d.m.th. Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) filloi me “Bismil-lah – Me Emrin e All-llahut!” dhe madhëroi All-llahun, “All-llahu Ekber – All-llahu është më i Madhi!”, ndërsa i biri shprehu dëshminë e Njëshmërisë së All-llahut xh.sh., “La ilahe il-lAll-llah – S’ka Zot tjetër, të adhuruar me meritë, përveç All-llahut!”, për herë të fundit, për vdekje…

Pastaj Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) e kaloi thikën mbi qafën e të birit, por për habinë e tij thika nuk e preu. Thuhet se Ismaili i tha të atit: “O babai im, ndoshta ky akt nuk po kryhet, sepse unë jam i lidhur dhe i kthyer me fytyrë nga toka e duket sikur nuk po e kryej këtë punë me dashje. Prandaj, më zgjidh dhe më kthe me fytyrën lart”. Ibrahimi veproi siç i tha i biri, por thika përsëri nuk e preu. Atëherë i biri i foli përsëri: “O babai im, ndoshta të është dobësuar dora nga dhimbja për mua, prandaj edhe thika nuk po pret”.

Atëherë lbrahimi (Paqja qoftë mbi të!) i mëshoi përsëri, por thika përsëri s’e preu. I çuditur sa s’ka më, Ibrahimi i ra me thikë një guri që ishte aty pranë dhe guri u ça më dysh. Atëherë Ibrahimi i foli thikës, duke i thënë:

“Thikë, moj thikë, gurin e fortë po e çan më dysh, ndërsa qafën e njomë të tim biri nuk po e pret dot”?!

Në këtë kohë, All-llahu i Lartësuar i dha mundësi të flasë thikës, e cila tha:

“Ti (krijesa) më thua ta pres, ndërsa Zoti (Krijuesi) s’më lejon”!…

Dhe thuhet se ndërmjet saj dhe qafës së Ismailit ka pasur një shtresë prej bakri të nikeluar…

All-llahu e di më së miri!

Pikërisht në këtë moment, Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) u thirr nga ana e All-llahut të Madhëruar:

“… O Ibrahim! Ti tashmë e zbatove ëndrrën”!

D.m.th., ti e plotësove premtimin, u arrit qëllimi prej sprovës tënde, u arrit nënshtrimi yt, dëshira për të kryer urdhrin e Zotit tënd. E ofrove me zemërgjerësi birin e vetëm për flijim dhe për këtë arsye All-Ilahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, kjo ishte një sprovë e qartë”. Gjithashtu, fjala e All-Ilahut xh.sh: “Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm”, do të thotë se All-llahu e liroi Ibrahimin nga flijimi i të birit nëpërmjet asaj që Ai ia lehtësoi (kompensimit me anë të një dashi)…

Ibn Abbasi ka thënë:

“Sikur të ishte bërë ky flijim, do të bëhej traditë që njerëzit të flijonin bijtë e tyre”.

All-Ilahu i Madhëruar ua hapi perden engjëjve dhe u tha:

“Shikojeni robin Tim që po bën kurban birin e tij të vetëm për të çuar në vend Fjalën Time. Kur ju thashë se do të krijoj njeriun, ju Më thatë: “A do të krijosh atë që derdh gjaqe (gjakun e njerëzve të pafajshëm)”?!…

Por padyshim, engjëjt janë krijesa dhe dinë aq sa u ka mësuar Krijuesi, All-llahu Fuqiplotë, ndërsa All-llahu xh.sh, është më i Urti, më i Dituri, më i Larti!

Zoti i Lartësuar e zëvendësoi flijimin e njeriut me flijimin e një kafshe, e zëvendësoi flijimin e Ismailit me flijimin e një dashi. Ajo që është e njohur te shumica, është se ai ishte një dash i bardhë, me sy të zinj të mëdhenj dhe me brirë të mëdhenj, që Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) e ka parë të lidhur në një pemë në malin Thubejr.

Ibn Abbasi thotë:

“Një dash i cili ka kullotur në Xhennet për 40 vite”.

Ndërsa Seid ibn Xhubejr ka thënë se ka qenë një dash me lesh të kuq, që ka kullotur në Xhennet, derisa u zbrit në malin Thubejr dhe u ça toka në atë vend ku ai zbriti.

Ibn Abbasi thotë gjithashtu:

“Ka zbritur në Thubejr një dash, me sy të zinj të mëdhenj, me brirë të mëdhenj, një dash që blegërinte dhe ai është dashi që e ofroi atë biri i Ademit dhe iu pranua”.

Transmetojnë lbn Ebi Hatem dhe Taberiu

Ka thënë Muxhahidi: “Dhe e flijoi atë në Mina”, ndërsa Ubejd ibn Umejr ka thënë se e flijoi atë në “Vendin e Ibrahimit”.

E rëndësishme është të përkujtohet se ajo që është përmendur në Kur’an, është mëse e mjaftueshme në lidhje me zhvillimin e ngjarjes madhështore dhe kalimin me sukses të provës trullosëse nga ana e Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!), besnikëria, bindja dhe nënshtrimi i të cilit për të flijuar birin e tij të vetëm, Ismailin (Paqja qoftë mbi të!), u shpagua me një kurban madhështor, me një dash të zbritur nga Xhenneti i amshuar…

Mënyra e therjes së kurbanit

Mbresa që lë te njeriu skena e therjes së kafshës (e kurbanit në rastin konkret) është e jashtëzakonshme. Ky moment ndikon pozitivisht te besimtari, sepse i kujton atij çastin e daljes së shpirtit. Një fakt i tillë është një e vërtetë e qartë dhe e afërt që gjithkush do ta provojë (ndoshta shumë shpejt…), paçka se shpesh njerëzit e harrojnë atë duke harruar kështu edhe takimin me Zotin e tyre, All-llahun Një. Prezantimi në therjen e kafshëve na bën të mendojmë më shumë për vdekjen si një realitet i pashmangshëm i cili do të jetë ose në favorin tonë, ose një humbje e madhe për ne. Kjo e zbut zemrën e njeriut, e bën atë më të dhimbsur e më të bindur ndaj All-llahut, tek i Cili mbështetet e gjithë shpresa dhe kështu, duke u udhëzuar në rrugë të drejtë, fitohet mirësia në këtë dhe në tjetrën jetë…

Kafshët e lejuara të tokës janë dy llojesh: kafshë të buta shtëpiake si devetë, lopët, dhentë etj. që rriten nëpër ferma e shtëpi, si dhe kafshë të pazbutura e të egra. Për llojin e parë, Islami kushtëzon që të theren sipas Ligjit fetar. Kushtet e kërkuara për therjen sipas Legjislacionit islam janë këto:

1. Të theret kafsha me mjet të mprehtë, qoftë mjeti prej metali, guri, apo druri, duke i prerë ezofagun, gurmazin dhe dy damarët e qafës, në mënyrë që gjaku të rrjedhë normalisht (Nuk lejohet kategorikisht prerja e palcës së shtyllës kurrizore).

Duhet pasur kujdes që gjatë therjes kafsha të lëndohet sa më pak. Ajo nuk duhet goditur me ashpërsi si dhe s’duhet me e therur në sy të kafshëve të tjera. Duhet që njeriu të tregojë mëshirë edhe në këtë veprim që është i ashpër në thelb;

2. Të mos goditet nga prapa kokës për t’u rrëzuar;

3. Të lidhet, të rrëzohet e mbështetur në krahun e majtë të saj dhe më e mira – edhe pse nuk është kusht – të drejtohet nga Kibla.

Të shtrirët e kafshës përtokë, vlen për lopët dhe bagëtitë e tjera (të imëta), ndërsa devetë theren në këmbë;

4. Të përmendet vetëm emri i Zotit në çastin e therjes.

All-llahu Fuqiplotë i ka dhënë jetë gjithkaje në tokë dhe vetëm Ai e ka të drejtën t’ia marrë atë kujt të dojë. Po kështu edhe për kafshët, e drejta për t’i therur e për t’i ngrënë vjen drejtpërsëdrejti prej Tij. Pra kafshët duhet të theren vetëm në emër të Zotit, sepse vetëm Atij i takon e drejta për të lejuar therjen. Përmendja e emrit të Zotit xh.sh. në therjen e kafshës ka një urtësi të këndshme, të cilës i duhet kushtuar vëmendje e veçantë. Ky akt është në kundërshtim me veprimet e idhujtarëve dhe njerëzve të periudhës së injorancës, ngaqë ata i përmendnin emrat e zotave të tyre të trilluar. Pra, meqë idhujtari përmend emrin e idhullit të tij, atëherë si të mos e përmendë besimtari emrin e Zotit të tij? Për më tepër, përderisa njerëzit dhe kafshët janë krijesa të Zotit dhe gjallesa me shpirt, atëherë përse njeriu duhet t’i mbizotërojë e t’ua marrë shpirtin (t’i therë) pa lejen e Zotit të tij, i Cili krijoi për të çdo gjë në tokë? Përmendja e emrit të Zotit xh.sh. në këtë rast konfirmon lejen hyjnore dhe njeriu sikur thotë: “Unë nuk veproj kështu nga armiqësia dhe dobësia kundër këtyre krijesave, por në emër të Zotit ther, në emër të Zotit gjuaj dhe në emër të Zotit ha (ushqehem)”.

Kasapi mysliman që duhet të jetë në moshë të rritur, në gjendje të mirë mendore dhe, më e mira, me avdes, përpara se të fillojë procesin e therjes, duhet të thotë:

“Bismil-lah, All-llahu Ekber”! – “Në emër të All-llahut, All-llahu është më i Madhi”!

Dhe:

“All-llahumme, minke ue leke”! – “All-llahu im, prej Teje (D.m.th. ky kurban më është mundësuar prej Madhërisë Sate) dhe për Ty (D.m.th. këtë kurban po e bëj për Madhërinë Tënde)”!

Në Kur’an thuhet:

“Hani pra nga ai mish mbi të cilin është përmendur Emri i All-llahut (kur është therur kafsha), nëse jeni besimtarë në ajetet e Tij (provat, shenjat, shpalljet)”.

Kur’an: Surja En-Am (Bagëtitë), ajeti 118

Koha e bërjes së kurbanit fillon menjëherë pas faljes së namazit të Kurban Bajramit (Data 10-të e muajit Dhul-Hixhxhe) që këtë vit përkon me ditën e nesërme, datën 20 korrik 2021 dhe vazhdon deri pas namazit të ikindisë së ditës së 13-të të Dhul-Hixhxhes – 23 korrik 2021. Kur kafsha e caktuar për t’u bërë kurban theret përpara faljes së namazit të Kurban Bajramit, atëherë ajo nuk konsiderohet më si kurban, por thjesht si një therje e zakonshme për mish gjatë vitit…

Më 20.07.2021 është dita e parë e Kurban Bajramit. Namazi i Kurban Bajramit në vendin tonë do të falet në orën 06.20.

Nëse bëhet vetëm një kurban, fjala vjen, një dash, mishi i tij ndahet në tri pjesë: një pjesë i jepet një familjeje të varfër, një pjesë u dërgohet si dhuratë miqve apo i jepet një familjeje të varfër nga farefisi, ndërsa pjesa e tretë lihet për nevojat e familjes. Nëse familja është e madhe, tërë kurbani mund të mbahet për nevojat e saj, por, gjithsesi, theksoj se më e mira është që një pjesë, sado e vogël, të ndahet.

Nëse dikush është në gjendje shumë të mirë ekonomike, mund të bëjë disa kurbanë dhe i ndan ato nëpër familjet e varfra të qytetit apo fshatit ku banon. Është e pëlqyer që të ndihmohen veçanërisht familjet me jetimë, pra familjet që u mungon i zoti i shtëpisë.

All-llahu xh.sh. thotë:

“All-llahu është i vetmi Zot i vërtetë, prandaj, vetëm tek Ai le të mbështeten besimtarët”.

Kur’an: Surja Et-Tekabun (Humbja dhe fitimi reciprok), ajeti 13

15. “Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. All-llahu ka shpërblim të madh.

16. Prandaj frikësojuni All-llahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.

17. Nëse i jepni All-llahut një hua të bukur, Ai jua kthen shumëfish atë dhe ju fal. All-llahu është Mirënjohës dhe nuk nxiton në dënime.

18. Ai është Njohësi i të padukshmes dhe së dukshmes, i Plotëfuqishmi dhe i Urti”.

Kur’an: Surja Et-Tekabun (Humbja dhe fitimi reciprok), ajetet 15-18

Lëkurat e kurbanëve, pra të kafshëve të zgjedhura për t’u sakrifikuar, nuk shiten. Zakonisht ato u dhurohen organizatave të ndryshme myslimane mirëbërëse dhe lekët që fitohen nga shitja e tyre përdoren për ndërtimin e shkollave, spitaleve, medreseve, xhamive etj., d.m.th. shpenzohen aty ku mund t’u sjellin dobi bashkësive dhe sidomos atyre që kanë nevojë.

Filozofia e festave në Islam

Urdhërimi i “Sadakatul-fitrit” në festën e Fitër Bajramit dhe i prerjes e shpërndarjes së kurbanëve në festën e Kurban Bajramit, simbolizon një qëllim të lartë shoqëror të festave në islam: të mbjellë harenë në zemra, gëzimin në shpirtra, qetësinë e trupave, përforcimin e dashurisë shoqërore, mëshirën mes të afërmve dhe bashkëpunimin e ndërsjellë njerëzor.

Në të dyja festat e bajrameve afrohen zemrat, bashkohen me lidhje miqësore, harrohen urrejtjet, takohen mbas ndarjes, pajtohen pas mosmarrëveshjeve, shtrijnë dorën e pajtimit, përkatësisht ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore me dashuri, sinqeritet e vëllazërim.

Qëllimi shoqëror i festës është rikujtimi i anëtarëve të shoqërisë për të dobëtit dhe të paaftët, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare.

Ndërsa qëllimi njerëzor i festës është shoqërimi i një numri të madh njerëzish në gëzim e hare, në një kohë të caktuar, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Kështu njerëzit ndiejnë lumturi të përbashkët, kurse fëmijët e një populli, pa marrë parasysh shtëpitë e shpërndara, bashkohen në shijimin dhe në përkujtimin e begative të All-llahut Bujar. Në festë forcohen lidhjet ideologjike e shpirtërore që Feja i caktoi për njerëzit, pa marrë parasysh larmishmërinë e gjuhëve dhe kombeve…

Filozofia e Kurban Bajramit

Kurban Bajrami ose “Festa e Sakrificës” ështe festa që simbolizon, midis të tjerave, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, me emrin e së cilës janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Ka’bes, Haxhxhi, emërtimi “Mysliman” etj.. Me emrin e kësaj feste lidhet edhe kulmi i bindjes, i besnikërisë dhe i dashurisë ndaj All-llahut të Plotëfuqishëm nga ana e Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!), i cili u sinjalizua nga i Plotëfuqishmi që të flijojë djalin e tij të vetëm, Ismailin. Besimi i madh ndaj All-llahut të Madhëruar bëri që lbrahimi (Paqja qoftë mbi të!) të jetë plotësisht i gatshëm për të kryer pa mëdyshje këtë frymëzim hyjnor, pavarësisht së sprova ishte e rëndë në mënyrë të skajshme: përballimin e kulmit të dhembjes fizike nga Ismaili (Paqja qoftë mbi të!) që, megjithëse në një moshë të njomë, për dëshirën e Zotit Një dhe të babait të tij u tregua i gatshëm të flijojë jetën e vet dhe, nga ana tjetër, të dhembjes shpirtërore nga ana e Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!), që ishte në moshën e thellë të pleqërisë. Por qëllimi hyjnor është fisnik. Kur All-llahu i Gjithëpushtetshëm pa bindjen dhe përkushtimin e lartë të Profetit lbrahim (Paqja qoftë mbi të!), urdhëroi flijimin e një dashi.

Dashuria e lbrahimit dhe Ismailit (Paqja qoftë mbi ta!) ndaj All-llahut xh.sh., duhet t’i shërbejë si shembull të gjithë myslimanëve kudo në botë. Njeriu duhet të jetë gati të sakrifikojë edhe gjënë më të shtrenjtë për hir të All-llahut të Lartësuar dhe fesë së Tij, Islamit.

Kuptimi i flisë dhe i sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes. I Plotëfuqishmi All-llah thotë:

“Tek All-llahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni All-llahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë punëdrejtëve”!

Kur’an: Surja El-Haxhxh (Haxhillëku), ajeti 37

Gjithashtu, All-Ilahu Fuqiplotë thotë:

32. “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së All-llahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.

33. Ju do të përfitoni nga ato (kafshë) deri në një kohë të caktuar; pastaj ato do të flijohen te Faltorja e lashtë.

34. Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e All-llahut gjatë flijimit të kafshëve që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij përuljuni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur,

35. atyre, zemrat e të cilëve frikësohen, kur përmendet All-llahu, që (janë) të durueshëm për gjithçka që i godet, që falin namazet dhe që ndajnë nga ajo që Ne ua kemi dhënë.

36. Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e All-llahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e All-llahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës”.

Kur’an: Surja El-Haxhxh (Haxhillëku), ajetet 32-36

Te Zoti i Lartësuar fjalët dhe klithmat nuk kanë peshë. Ato çka Ai vlerëson janë punët dhe veprat e mira. Por edhe këto duhet të bëhen me sinqeritet e të jenë të pastra nga hipokrizia dhe egoizmi. Nuk është veprimi ynë i jashtëm i flisë që ka vlerë, por është mbytja e shtazërisë në shpirtin tonë, është thyerja dhe shporrja e zakoneve të liga nga sjelljet tona, është vënia e vetes në shërbim të së vërtetës dhe së drejtës, kur dhe ku të jetë nevoja. Kjo është ajo që e do dhe e mbron Islami, ky është mësimi që jep e duhet të na japë ky akt, therja e kurbanit.

Festa e Kurban Bajramit

Islami, kufijtë e të cilit janë të mesëm dhe kriteret të drejtë, hedh dritën e tij madhështore në idenë e festës së Kurban Bajramit. Dhe para nesh shfaqet një pamje e mrekullueshme e cila është shprehje e pastërtisë, dinjitetit dhe mirësjelljes. Himni i shpirtit islam ndihet kudo. E dëgjon këtë himn i cili lulëzon nëpër rrugë nga goja e atyre të cilët shkojnë të falin namazin e bajramit, e dëgjon nëpër xhami në gojën e falësve, e dëgjon nëpër shtëpi në ditët e tekbiri teshrikut, e dëgjon në Minna nga goja e haxhinjve gjatë kohës së hedhjes së gurëve në xhemret, e dëgjon…

“All-llahu ekber ue lil-lahil-hamd! – All-llahu është më i Madhi dhe për Të është falënderimi”!

Islami kërkon që kjo thirrje shpirtërore të jetë e manifestuar si në pikëpamjet e dekorit dhe bukurisë së jashtme, ashtu edhe në atmosferën e mirëqenies dhe komoditetit, por, natyrisht, me masën e nevojshme. Por ai nuk kënaqet vetëm më këta dy elementë, spiritualitetin e hovshëm e të lartë dhe dobinë e materialitetit të bukur, të pastër e të padjallëzuar, prandaj i forcon edhe me të tretin, më të fortin dhe, për Islamin, më të dashurin. Ajo është ana socio-humanitare, e cila nëpërmjet inkuadrimit në institucionin e Sadakatul-fitrit, në Bajramin e Ramazanit dhe sakrificës së kurbanit, në Bajramin e Kurbanit, e bën popullin nje trup:

“… andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!”…

Kur’an: Surja El-Keuther (Mirësitë e shumta), ajeti 2

14. “I shpëtuar është ai që pastrohet,

15. që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz”!

Kur’an: Surja El-A’la (Më i Larti), ajetet 14-15

Me të drejtë lind pyetja se çfarë duhet të bëjë çdo mysliman në ditën e Bajramit, a ka rregulla të cilat duhen pasur parasysh e që duhen zbatuar? Sigurisht që ka, por le t’i marrim me radhë. Për çdo mysliman, ditën e festës së Kurban Bajramit, duhet:

1. Të pastrohet në mëngjes, pra të marrë gusël (Larje e përgjithshme e trupit) përpara se të dalë nga shtëpia;

2. Të veshë rroba të bukura, mundësisht të reja. Është e preferuar sidomos ngjyra e bardhë;

3. Të shkojë në xhami në këmbë. Gjatë rrugës të këndojë “tekbirin teshrik” dhe ta vazhdojë atë edhe në xhami derisa të ulet imami. “Tekbiri teshrik”, që thuhet nga çdo mysliman mbas përfundimit të namazeve farze, gjatë gjithë ditëve të festës së Kurban Bajramit është:

“All-Ilahu ekber, All-llahu ekber, la ilahe il-lAll-llahu uAll-llahu ekber, All-llahu ekber ue lil-lahil-hamd”!

Përkthimi:

“All-llahu është më i madhi, All-llahu është më i madhi, s’ka zot tjetër veç All-llahut dhe All-llahu është më i madhi. All-llahu është më i madhi dhe për Zotin janë falënderimet”!

4. Nëse do të bëjë kurban, nuk duhet të hajë asgjë para se të dalë nga shtëpia dhe, kur të kthehet të hajë nga mishi i kurbanit të tij. Nëse nuk bën kurban, ka të drejtë të bëjë si të dojë, mund të hajë çfarë të dojë prej hallallit para se të dalë nga shtëpia, ose të mos hajë asgjë…;

5. Të dalë për të falur namazin së bashku me anëtarët e tjerë të familjes (gruaja dhe fëmijët). Gratë që janë me menstruacione nuk do të falin namaz, por do to marrin pjesë në dëgjimin e hutbes dhe të ligjëratave që do të mbahen me këtë rast bashkë më tekbirët dhe lutjet;

6. T’ua urojë Bajramin atyre që takon;

7. Të vizitojë të afërmit, miqtë, dashamirët, shokët.

Namazi i Bajramit

Transmetohet nga lbn Umeri se Profeti Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), Ebu Bekri (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) dhe Umeri (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) e falnin namazin e Bajramit para hutbes.

Transmetim i të gjithëve, përveç Ebu Daudit

Të dashur lexues e lexuese!

Shpresoj që mbas të gjithë këtij përkujtimi, çdokush prej jush do të nxitet akoma më tepër për t’iu kthyer me plot sinqeritet besimit të All-llahut, Zotit të Vetëm të të gjitha botëve, duke dhe ia zbatuar në mënyrën më shembullore të gjitha Urdhrat…

Së pari, në këto pak orë që kanë mbetur deri në faljen e namazit të Kurban Bajramit, ai që s’e ka pasur ndërmend të dalë për t’u falur, le ta ndryshojë këtë mendim duke u përgatitur fizikisht e shpirtërisht që nesër të jetë në shesh midis besimtarëve të tjerë. Dhe jo vetëm, por të marrë me vete edhe familjarët e vet…

Së dyti, kush e ka mundësinë ekonomike për të bërë kurban, por si shkak i besimit të dobët, i futjes së mendjes së “lehtë” e të tjera të këtij lloji, kishte vendosur ta anashkalonte këtë akt sublim, menjëherë ta kapë telefonin dhe të porosisë blerjen e një kurbani. Jeta ësht e bukur dhe çdokush dëshiron të jetojë sa më gjatë, ama të mos harrojmë se ndoshta në vitin tjetër dikush mund të mos jetë gjallë e kështu nuk do ta ketë mundësinë të bëjë kurban. E me çfarë do të arsyetohet para Zotit të vet në Ditën e Gjykimit?! Në atë Ditë, kur askujt s’do t’i bëjë dobi as pozita që ka pasur në dynja (në këtë botë kalimtare), as pasuria, as familja, as miqtë e as dashamirët; në atë Ditë, kur do të shpëtojë vetëm ai njeri që do t’i paraqitet Zotit të tij me zemër të pastër, me shpirt të nënshtruar, me besim të vërtetë, me punë dhe vepra të mira ashtu siç ka qenë i urdhëruar dhe këshilluar…

O ALL-LLAH, O ZOTI YNË I VETËM!

NA UDHËZO!

NA DUAJ, NA FAL, NA MËSHIRO E FURNIZO!

KURBANIN DHE ÇDO PUNË E VEPËR TJETËR TË MIRË NA I PRANO,

XHENNETIN FIRDEUS NA DHURO!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Check Also

7 të arrestuar në Tiranë për vepra të ndryshme penale

7 persona janë arrestuar nga policia për vepra të ndryshme penale në Tiranë. D.J, 26-vjeç …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *